Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Dr. Ardita Baraku, priti në takim zyrtar një delegacion nga Instituti i Biologjisë Mjekësore pranë Akademisë Polake të Shkencave (IMB PAN, Łódź), të përbërë nga Prof. Jarosław Dziadek, drejtor shkencor i Institutit, dhe Prof. Alina Minias, eksperte në fushën e gjenetikës së Mycobacterium tuberculosis.
Në takim morën pjesë edhe Drejtoresha për Arsim dhe Shkencë në IKSHPK, Prof. Merita Berisha, si dhe Ass. Dr. Rrezarta Bajrami, udhëheqëse e Laboratorit Referent Nacional për Diagnostikën e Tuberkulozit në Departamentin e Mikrobiologjisë. Me këtë rast, u prezantuan aktivitetet institucionale, projektet shkencore dhe angazhimet kërkimore që zhvillohen në IKSHPK.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërinstitucional, zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe realizimi i hulumtimeve të avancuara në fushën e tuberkulozit, me fokus në dinamikën e transmetimit të Mycobacterium tuberculosis, shpërndarjen gjeografike të linjave cirkuluese dhe analizën molekulare të zinxhirëve të transmetimit në nivel populativ.
Në kuadër të vizitës, delegacioni vizitoi edhe Laboratorin Referent Nacional për Diagnostikën e Tuberkulozit dhe Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, ku u prit nga drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Dr. Arsim Kurti, si dhe Prof. Lul Raka dhe Prof. Xhevat Jakupi.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor dhe avancimit të kapaciteteve kërkimore në fushën e shëndetit publik dhe mikrobiologjisë molekulare.