Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) i njofton qytetarët se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vendin tonë, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 25 tetor 2026 janë konfirmuar gjithsej 242 raste me fruth, prej të cilave 18 janë regjistruar gjatë javës së fundit. Mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, që mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen.
Krahas vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit t rregullt të vaksinimit, IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4.006 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç. Ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së angazhimit të prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve.
IKShPK u bën thirrje të gjithë prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar.
Vetëm përmes bashkëpunimit të prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve mund të rritet mbrojtja e fëmijëve dhe të ndërpritet përhapja e fruthit.
Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët.
Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë.
Vaksinimi i rregullt + vaksinimi plotësues = fëmijë të mbrojtur!