Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton qytetarët se vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Republikën e Kosovës më 21 tetor 2026.
Këtë vit, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave kundër gripit është ndikuar nga ndryshimet në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e hemisferës veriore. Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, si dhe në furnizimin e vendeve të rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, ku vaksinat pritet të arrijnë me 21 ditë vonesë nga afati i planifikuar.
IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal.
Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore.
IKShPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.