Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar sot (7 gusht 2026), përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë, një rast pozitiv me Virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV).
Rasti është një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacienti ndodhet në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka pasur histori udhëtimi jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullim i virusit.
Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje sezonale që shfaqet gjatë muajve të verës dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Deri më 5 gusht 2026, shtatë vende të Rajonit Evropian kanë raportuar raste të infeksionit me këtë virus: Italia – 139 raste, Greqia – 61 raste, Spanja – 17 raste, Maqedonia e Veriut – 13 raste, Rumania – 6 raste, Franca – 4 raste, Gjermania – 1 rast.
Në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit (2021–2025), janë regjistruar gjithsej 9 raste të Virusit të Nilit Perëndimor: 7 raste gjatë vitit 2024 dhe nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. Rasti i konfirmuar sot është rasti i parë i regjistruar gjatë vitit 2026.
Virusi nuk transmetohet nga personi te personi përmes kontakteve të zakonshme por transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Rreth 80% të personave të infektuar nuk zhvillojnë fare simptoma ndërsa tek rreth 20% mund të shfaqen ethe, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, lodhje ose skuqje të lëkurës. Vetëm një numër shumë i vogël i rasteve (më pak se 1%) zhvillon forma të rënda që prekin sistemin nervor, kryesisht tek personat e moshuar ose ata me sëmundje shoqëruese.
IKShPK rekomandon që qytetarët të ndërmarrin masa të thjeshta parandaluese:
– Përdorni repelentë kundër mushkonjave sipas udhëzimeve të prodhuesit.
– Vishni rroba me mëngë dhe pantallona të gjata, sidomos në mbrëmje.
– Vendosni rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer.
– Eliminoni ujin e ndenjur në oborre, vazo, enë ose vende të tjera ku shumohen mushkonjat.
– Shmangni qëndrimin jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive.
– Mbani të pastra pishinat, shatërvanët dhe sipërfaqet ku mund të grumbullohet ujë.
Personat që udhëtojnë në vende ku virusi është i pranishëm këshillohen të përdorin masa mbrojtëse kundër pickimit të mushkonjave dhe, nëse zhvillojnë simptoma gjatë ose pas udhëtimit, të kërkojnë ndihmë mjekësore.
IKSHPK po e monitoron në vazhdimësi situatën dhe thekson se nuk ka vend për panik.
Zbatimi i masave të thjeshta mbrojtëse mbetet mënyra më efektive për të reduktuar rrezikun e infektimit gjatë sezonit të aktivitetit të mushkonjave.