Bazuar në situatën aktuale epidemiologjike me fruth në vend dhe rrezikun e shtuar për përhapje të mëtejshme të sëmundjes, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) mbajti takim koordinues me ekipet e vaksinimit nga të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), si dhe me epidemiologët e Qendrave Rajonale të Shëndetësisë Publike.
Takimi u organizua me mbështetjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve ndërinstitucionale për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe parandalimin e përhapjes së fruthit.
Gjatë takimit u prezantua situata aktuale epidemiologjike me fruth në vend, si dhe ecuria e vaksinimit me vaksinën MMR gjatë këtij viti. Po ashtu, u diskutuan rekomandimet dhe veprimet konkrete që duhet të ndërmerren për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, si dhe për kontaktimin aktiv të prindërve me qëllim sjelljen e fëmijëve për vaksinim.
IKShPK rikujton se vaksina MMR është mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga fruthi, një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore.
IKShPK bën thirrje të gjithë prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata me kohë, në përputhje me kalendarin e rregullt të imunizimit.