Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Imunizimit, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë u mbajt një aktivitet sensibilizues dhe informues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Komunës së Mitrovicës, organizatave partnere ndërkombëtare, profesionistëve shëndetësorë, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve.
Gjatë aktivitetit u zhvillua një sesion vaksinimi për nxënësit e klasave të gjashta, ku u administrua edhe vaksina kundër HPV-së, pjesë e kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë. Po ashtu, u zhvilluan diskutime me prindër, nxënës dhe staf arsimor mbi rëndësinë e vaksinimit si një ndër mënyrat më efikase për parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fuqizimin e programit të imunizimit, si dhe rolin kyç të shkollës dhe familjes në informimin e drejtë dhe rritjen e besimit në vaksina. U vlerësua suksesi i Kosovës në ruajtjen e mbulueshmërisë së lartë me vaksina, përfshirë edhe rezultatet inkurajuese në vaksinimin kundër HPV-së.
Gjatë bashkëbisedimit me prindër dhe nxënës, u nënvizua se vaksinat janë të sigurta, efektive dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe të komunitetit. U vlerësua gjithashtu puna e profesionistëve shëndetësorë dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e programit të imunizimit në vend.
Ky aktivitet shërbeu si thirrje për veprim të përbashkët për promovimin e vaksinimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina, duke riafirmuar se imunizimi mbetet një nga ndërhyrjet më të suksesshme dhe jetike për shëndetin publik.