Departamenti i Epidemiologjisë i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) zhvilloi takimin me përfaqësues të EuroSAVE – iniciativë e OBSH-së Evropë për mbikëqyrjen e avancuar të SARI (Infeksione të Rënda Akute Respiratore), Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Klinikës së Pediatrisë.
Departamenti i Epidemiologjisë IKSHPK prezantoi situatën epidemiologjike të infeksioneve akute respiratore, bazuar në mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse dhe Buletinin e Gripit Sezonal, ndërsa përfaqësuesit e EuroSAVE prezantuan rezultatet e bashkëpunimit, protokollet standarde evropiane për mbikëqyrjen SARI dhe mbështetjen teknike për databazat analizuese.
U diskutua organizimi praktik i zbatimit të mbikëqyrjes, përfshirë identifikimin e rasteve, plotësimin e formularëve standardë dhe sigurimin e cilësisë së të dhënave. U theksua nevoja për rritjen graduale të mbulueshmërisë së raportimit në SMSN (Sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse) me qëllim të rritjes së cilësisë së të dhënave për të na mundësuar integrimin në EuroSAVE, proces i cili fuqizon metodologjinë analitike mbi efektivitetin e vaksinave dhe barrën e sëmundjes.
U diskutuan kapacitetet laboratorike, si dhe u realizua një vizitë në laboratorin e viruseve respiratorë në IKSHPK, ku aktualisht testohen mostrat SARI për RSV, influencë, SARS-CoV-2, hMPV dhe viruse të tjera respiratore, duke siguruar bazën laboratorike për mbikëqyrjen e avancuar.
Takimi përfundoi me dakordim mbi hapat e ardhshëm, përfshirë përmirësimin e raportimit në SMSN (Sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse), standardizimin e mbledhjes së të dhënave sipas EuroSAVE, fuqizimin e koordinimit dhe komunikimit ndërinstitucional.