Laboratori Referent për Rezistencë Antimikrobike i IKSHPK, nën udhëheqjen e Dr. Arsim Kurtit, ka shënuar sukses të plotë në rundin vjetor të Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë (EQA), organizuar nga UK Health Security Agency dhe UK NEQAS for Microbiology në Britaninë e Madhe.
Ky vlerësim, i cili zhvillohet në kuadër të angazhimeve të Kosovës në Rrjetin CAESAR, synon testimin e ndjeshmërisë antimikrobike për gjashtë baktere të rëndësishme për shëndetin publik: Escherichia coli, Pseudomonas aeruginosa, Acinetobacter baumannii, Staphylococcus aureus, Streptococcus pneumoniae dhe Enterococcus faecium.
Laboratori i IKSHPK arriti rezultat maksimal prej 130 pikësh nga 130 të mundshme, me përputhshmëri të plotë 100%, krahasuar me mesataren 123.7 pikë të laboratorëve pjesëmarrës.
Ky sukses dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e IKSHPK për të ruajtur standardet më të larta të cilësisë në mbikëqyrjen laboratorike të rezistencës antimikrobike.