Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Imunizimit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka organizuar tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë ngjarje morën pjesë: Zëvendësministrja e Shëndetësisë në detyrë Dr. Dafina Gexha Bunjaku, Drejtoresha ekzekutive e IKSHPK, Dr. Ardita Baraku, Drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH, Dr. Merita Vuthaj, Drejtoresha e Departamentit të Mjekësisë Sociale në IKSHPK, Prof. Dr. Merita Berisha, Drejtoresha e Departamentit të Epidemiologjisë, IKShPK Prof. Dr. Ariana Kalaveshi, Përgjegjësja për imunizim në Zyrën e OBSH në Kosovë, Dr. Edita Goranci-Haxhiu, Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, përfaqësues nga Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, si dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë në detyrë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku theksoi përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të programit të imunizimit përmes bashkëpunimit me IKSHPK-në dhe institucionet e kujdesit parësor. Ajo tha se gjatë viteve 2023-2024 është pesëfishuar buxheti për vaksina dhe kalendari i rregullt është pasuruar me tre vaksina të reja: kundër pneumokokut, rotavirusit dhe HPV – të cilat ofrohen falas për fëmijët dhe grupet përkatëse.
Drejtoresha ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku theksoi se kjo javë është mundësi për të rikujtuar qytetarët për rëndësinë e imunizimit dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve e qytetarëve për mbrojtjen e shëndetit publik dhe eliminimin e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina. Ajo vuri në pah edhe rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të publikut, duke theksuar se gjatë kësaj jave janë zhvilluar aktivitete të ndryshme nga IKSHPK dhe QRSHP për të ofruar informacione të sakta dhe të verifikuara mbi vaksinat dhe përfitimet e vaksinimit.
Dr. Edita Goranci-Haxhiu nga OBSH nënvizoi sfidën me vaksinën MMR por theksoi se Kosova në përgjithësi ka një mbulueshmëri të lartë të vaksinimit, duke parandaluar kështu sëmundjet e rënda dhe vdekjet, dhe duke u renditur si një shembull pozitiv në rajon.
Znj. Veronika Vashchenko nga UNICEF u shpreh se Kosova është një shembull suksesi, për implementimin e vaksinës HPV në shkolla, duke falënderuar bashkëpunimin e profesionistëve shëndetësorë dhe mësuesve.
Prof. Dr. Ariana Kalaveshi prezantoi “Programin e Zgjeruar të Imunizimit – të arriturat dhe sfidat”, duke theksuar sukseset gjatë vitit 2024, si dhe prioritetet në vijim. Ndër arritjet u veçuan zgjerimi i mbulueshmërisë, përmirësimi i logjistikës së zinxhirit të ftohtë dhe funksionalizimi dhe përdorimi i plotë I modulit të vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor.
Prof. Dr. Merita Berisha prezantoi “Vlerësimin e perceptimeve të popullatës për imunizim”, me rezultate që tregojnë keqkuptimet, barrierat dhe boshëllëqet ne njohuritë për imunizim, si dhe faktorët qe ndikojnë në sjelljet e prindërve në lidhje me vaksinimin
“Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”. Ftojmë të gjithë prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, duke kontribuar në një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.