Sot u përmbyll me sukses vizita katër ditore e delegacionit prej 18 zyrtarësh nga Republika e Taxhikistanit, të cilët gjatë qëndrimit në Kosovë patën mundësinë të njoftohen nga afër me përvojat, arritjet dhe sfidat e procesit të vaksinimit kundër HPV-së në vendin tonë.
Drejtoresha ekzekutive e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Dr. Ardita Baraku, falënderoi delegacionin për zgjedhjen e Kosovës si destinacion pune dhe shprehi besimin se njohuritë e fituara do të jenë të dobishme për ta.
Dr. Baraku gjithashtu i uroi delegacionit suksese në zbatimin e vaksinimit kundër HPV-së në Taxhikistan dhe theksoi shpresën për bashkëpunime të reja ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore në fushën e shëndetit publik në të ardhmen.
Udhëheqësja e Divizionit të Programit të Zgjeruar të Imunizimit në IKSHPK, Dr. Fetije Fetaj, vlerësoi interesimin e lartë të delegacionit dhe diskutimet profesionale që u zhvilluan gjatë këtyre katër ditëve. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e vizitës në depon qendrore të vaksinave, ku delegacioni u njoh me mënyrën e ruajtjes dhe menaxhimit të vaksinave në Kosovë.
Znj. Dafina Muçaj nga UNICEF, tha se ishte kënaqësi e veçantë të mirëpritej delegacioni nga Taxhikistani dhe të ndaheshin përvojat mbi përfshirjen e vaksinës HPV në programet e imunizimit. Ajo theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me institucionet shëndetësore është thelbësor për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe konfirmoi gatishmërinë e UNICEF-it për ta thelluar edhe më tej këtë partneritet.
Udhëheqësi i delegacionit nga Taxhikistani, z. Ziyodullah Idrisov, falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, IKSHPK-në dhe UNICEF-in për mikpritjen e ngrohtë, organizimin e shkëlqyer dhe programin profesional. Ai vlerësoi se vizita ishte një mundësi e vyer për të përfituar njohuri të reja jo vetëm në fushën e vaksinimit kundër HPV-së, por edhe në aspektet e tjera të shëndetit publik, si dhe për të mësuar më shumë për historinë dhe kulturën e Kosovës.