Me rastin e 31 Majit – Ditës Botërore Kundër Duhanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe komunat, organizon një aktivitet kreativ me nxënës, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore, ekonomike dhe sociale të duhanpirjes, nën moton: “Të rinjtë për një Kosovë pa duhan”.
Nxënësit e klasave 6–9 nga të gjitha shkollat e Kosovës do të kenë mundësinë të përcjellin mesazhe kundër duhanit përmes krijimeve artistike, video-animacioneve, vizatimeve dhe formave të tjera kreative. Punimet më të mira do të përzgjidhen fillimisht në nivel komunal, ndërsa më pas do të prezantohen në aktivitetin qendror të shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, i cili planifikohet të mbahet më 29 maj në Prishtinë, në prani të ekspertëve të shëndetit publik, përfaqësuesve institucionalë dhe publikut.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet kanë pranuar Rregulloren e organizimit të garës ku përcaktohen procedurat e zhvillimit të saj, tematika, pjesëmarrësit, kriteret e vlerësimit dhe çmimet për fituesit.
Ky aktivitet synon të rrisë njohuritë dhe ndërgjegjësimin e nxënësve për dëmet e nikotinës dhe produkteve të duhanit, me theks të veçantë te cigaret elektronike, si dhe t’i inkurajojë ata të bëhen promotorë të shëndetit dhe të qëndrimeve kundër duhanit.
Bashkohuni me ne për të promovuar një jetë pa duhan dhe për të mbështetur të rinjtë në rolin e tyre si ambasadorë të shëndetit publik!