Laboratori Referent Kombëtar për Tuberkuloz (NRL TB), në kuadër të IKSHPK-së, nën udhëheqjen e mikrobiologes Ass. Dr. sci. Rrezarta Bajrami, laborantes Shukrane Shehu dhe laborantit Xhevat Shkodra, ka arritur 100% përputhshmëri në Vlerësimin e Jashtëm të Cilësisë (External Quality Assessment – EQA), të organizuar nga INSTAND, Gjermani.
INSTAND është një organizatë jofitimprurëse gjermane e specializuar në vlerësimin e jashtëm të cilësisë laboratorike (EQA), e cila ofron testime ndërkombëtare të standardizuara për laboratorët diagnostikë sipas standardeve ISO.
Ky vlerësim ndërkombëtar është realizuar për disa analiza kyçe në diagnostikimin laboratorik të tuberkulozit, përfshirë:
Mycobacterial Diagnostics 01 – Microscopy (421)
Mikroskopia për detektimin e mykobaktereve
Mycobacterial Diagnostics 02 – Cultivation (422)
Kultivimi i mykobaktereve për rritje dhe identifikim
Mycobacterial Diagnostics 03 – Identification (423) – vetëm participim
Identifikimi i specieve të mykobaktereve
Mycobacterial Diagnostics 04 – NAT Tuberculosis Bacteria (424)
Detektimi molekular i Mycobacterium tuberculosis
Mycobacterial Diagnostics 05 – Drug Susceptibility Testing of Tuberculosis Bacteria (425)
Testimi fenotipik i ndjeshmërisë ndaj barnave të TB (DST)
Mycobacterial Diagnostics 06 – Molecular Drug Susceptibility Testing (426)
Detektimi molekular i rezistencës ndaj barnave të TB (mDST)
Me përjashtim të analizës Mycobacterial Diagnostics 03 – Identification (423), e cila ishte vetëm pjesëmarrje, të gjitha analizat janë vlerësuar me përputhshmëri të plotë (100%), duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, saktësie dhe përkushtimi ndaj standardeve ndërkombëtare në diagnostikimin e tuberkulozit.
Certifikatat janë të vlefshme deri në shtator 2026.
Ky rezultat përfaqëson një arritje të rëndësishme për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe përforcon rolin e NRL TB si qendër kombëtare referuese për diagnostikimin e saktë, të shpejtë dhe të besueshëm të tuberkulozit në vend.