Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) mirëpriti sot delegacionin prej 18 zyrtarëve nga Taxhikistani, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për një vizitë studimore.
Republika e Taxhikistanit po bën përgatitjet për përfshirjen e vaksinës kundër HPV-së në kalendarin kombëtar të imunizimit. Vizita në Kosovë po realizohet për të marrë përvojat nga praktika e suksesshme e vendit tonë, i cili në vitin 2024 arriti mbulueshmëri 85% që në vitin e parë të implementimit.
Drejtoresha Ekzekutive e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku, uroi mirëseardhjen delegacionit dhe vlerësoi vizitën si një mundësi të rëndësishme për ndarjen e përvojës së Kosovës me vaksinën HPV, duke theksuar gatishmërinë e profesionistëve të IKShPK-së për të prezantuar rezultatet dhe sfidat e këtij procesi.
Dr. Pranvera Gunga-Kaçaniku, shefe e Divizionit për Sëmundje Ngjitëse, theksoi se suksesi i vaksinës HPV është rezultat i punës së përbashkët të MSH, IKSHPK, MASHT, punëtorëve shëndetësorë, partnerëve strategjikë dhe hisedarëve tjerë, duke uruar delegacionit një vizitë produktive në Kosovë.
Gjithashtu, delegacioni u njoftua në detaje me procesin e përfshirjes së vaksinës HPV përmes prezantimit të Dr. Fetije Fetaj, udhëheqëse e Divizionit të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI).
Ky delegacion ka paraparë të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.