Profesionistët shëndetësorë janë burimi më i besueshëm i informacionit për prindërit lidhur me vaksinimin e rregullt të fëmijëve. Për këtë arsye, IKSHPK ka zhvilluar një pako dokumentesh mbështetëse për mjekë pediatër, mjekë familjarë dhe infermierë, me qëllim që të mbështesë profesionistët shëndetësorë në ofrimin e rekomandimeve për vaksinim, të bazuara në evidencë.
Kjo pako e personalizuar e dokumenteve u prezantua dhe u diskutua gjatë punëtorive të mbajtura më 4 dhe 5 mars me profesionistë shëndetësorë. Dokumentet e zhvilluara, të cilat do t’u shpërndahen të gjithë mjekëve pediatër, mjekëve familjarë dhe infermierëve, udhëzojnë që:
1. Statusi vaksinal i fëmijëve të kontrollohet në çdo vizitë shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor dhe të rekomandohet vaksinimi në kohë, duke respektuar kalendarin e rregullt të vaksinimit.
2. Rekomandimet për vaksinim të bazohen në evidencë shkencore dhe në përputhje me kalendarin e rregult të vaksinimit, të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
3. Komunikimi rreth vaksinimit nga profesionistët shëndetësorë të bëhet përmes një qasjeje empatike, ku pyetjet dhe shqetësimet e prindërve dëgjohen dhe adresohen me kujdes.
Përmes këtyre dokumenteve dhe diskutimeve me profesionistët shëndetësorë, synohet të forcohet më tej roli i tyre në promovimin e vaksinimit dhe në rritjen e besimit të prindërve, në vaksinimin e rregullt të fëmijëve.
Ky aktivitet është mbështetur nga zyra e UNICEF në Kosovë.