Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) njofton publikun dhe profesionistët shëndetësorë se ka filluar ofrimin e testimit laboratorik QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus), një metodë moderne dhe e avancuar për zbulimin e infeksionit me Mycobacterium tuberculosis.
QuantiFERON-TB Gold Plus është test diagnostik in vitro, i bazuar në analizën e gjakut, i cili mat përgjigjen imunitare qelizore ndaj Mycobacterium tuberculosis përmes detektimit të gama-interferonit (IFN-γ). Ky test përdoret për identifikimin e infeksionit latent me tuberkuloz, si dhe si ndihmë në vlerësimin diagnostik të rasteve të dyshuara.
Përparësitë e testit QuantiFERON-TB Gold Plus:
Nuk ndikohet nga vaksinimi BCG
Kërkon vetëm një vizitë për marrjen e mostrës së gjakut
Ofron specifikë dhe ndjeshmëri të lartë
Testimi kryhet vetëm në laboratorin referent nacional të Tuberkulozës në IKShPK, sipas indikacioneve klinike dhe me referim nga mjeku përkatës. Interpretimi i rezultateve bëhet në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe gjithmonë në kontekstin klinik të pacientit.
IKShPK mbetet e përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve laboratorike dhe forcimin e kapaciteteve diagnostike për parandalimin dhe kontrollin e tuberkulozit në Kosovë.
Për informata shtesë, qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë mund të kontaktojnë IKShPK-në përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.