Në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Tuberkulozit, profesionistët shëndetësorë nga Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj kanë mbajtur ligjërata edukative në shkollat e qyteteve përkatëse.
Qëllimi i këtyre ligjëratave ishte rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tuberkulozit – një sëmundje infektive që ende paraqet sfidë shëndetësore në vendin tonë dhe më gjerë.
Gjatë këtyre ligjeratave, u shpërndanë materiale informuese dhe u prezantuan fakte të rëndësishme mbi shenjat klinike të sëmundjes, mënyrat e transmetimit dhe rëndësinë e trajtimit të duhur. Nxënësit u inkurajuan të jenë ambasadorë të shëndetit në komunitetin e tyre, dhe të përçojnë mesazhin: STOP TB!