Në kuadër të Javës Europiane të Shëndetit Publik, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë:
“Ngritja e kapaciteteve për kujdesin ndaj të moshuarve në kujdesin parësor shëndetësor në Kosovë”
Kjo tryezë mblodhi përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë të kujdesit parësor, përfaqësues komunalë, përfaqësues të pacientëve dhe organizatave të të moshuarve, partnerë zhvillimorë dhe bashkëpunëtorë profesionalë, me qëllim diskutimin e sfidave dhe mundësive për përmirësimin e kujdesit ndaj personave të moshuar në Kosovë.
Gjatë takimit u theksua se moshimi i popullsisë kërkon një përgjigje më të organizuar, më të integruar dhe më të qëndrueshme nga sistemi shëndetësor. Kujdesi parësor shëndetësor u vlerësua si pika kyçe për identifikimin e hershëm të nevojave të të moshuarve, menaxhimin e sëmundjeve kronike, parandalimin e komplikimeve dhe koordinimin e shërbimeve në komunitet.
Në fokus të diskutimeve ishin:
• fuqizimi i kapaciteteve të mjekëve familjarë, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të kujdesit për të moshuarit;
• zhvillimi i shërbimeve miqësore ndaj moshës;
• kujdesi i integruar dhe i orientuar nga pacienti;
• nevoja për trajnime të vazhdueshme dhe të akredituara;
• roli i familjes, komunitetit dhe institucioneve në mbështetjen e të moshuarve;
• inicimi i një Plani Nacional të Veprimit për Moshimin në Kosovë.
Tryeza konfirmoi se kujdesi ndaj të moshuarve është jo vetëm çështje shëndetësore, por edhe sociale, institucionale dhe komunitare. Investimi në kujdesin parësor, në trajnim të personelit dhe në shërbime të integruara është investim në dinjitetin, funksionalitetin dhe cilësinë e jetës së popullatës së moshuar.
IKSHPK, përmes Divizionit mbi Moshimin, mbetet i përkushtuar në promovimin e moshimit të shëndetshëm, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe mbështetjen e politikave të bazuara në evidencë për përmirësimin e kujdesit ndaj të moshuarve në Kosovë.
#JavaEuropianeEShëndetitPublik #IKSHPK #MoshimiIShëndetshëm #KujdesiParësor #TëMoshuarit #ShëndetiPublik #Kosovë