Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës shpreh urimet dhe vlerësimin më të lartë për Prof. Dr. Gjyle Mulliqi Osmani, punëtore e pensionuar nga Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK, e cila është nderuar me medalje presidenciale nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.
Ky vlerësim i lartë është dhënë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm dhe të gjatë në fushën e mikrobiologjisë, shëndetësisë publike dhe arsimit universitar në vend.
Prof. Dr. Mulliqi Osmani ka shërbyer për shumë vite si shefe e Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e kapaciteteve laboratorike, avancimin e diagnostikimit dhe edukimin e gjeneratave të reja të profesionistëve shëndetësorë.
Me përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e saj, ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe mbetet një figurë frymëzuese për komunitetin profesional.
Me këtë rast, ajo u shpreh: “IKSHPK ka qenë dhe mbetet shtëpia ime, ku u rrita dhe u ngrita në nivelet më të larta profesionale, mirënjohëse për mundësitë e ofruara nga institucioni.”