Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) përcjell me mirënjohje dhe respekt në pension Dr. Burbuqe Nushi-Latifin, Koordinatoren e Qendrës së Ujit në IKSHPK, e cila për shumë vite ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e shëndetit publik dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Gjatë karrierës së saj të pasur, Dr. Nushi-Latifi është dalluar për përkushtimin e palodhshëm, profesionalizmin dhe integritetin e lartë në punë. Si udhëheqëse e Qendrës së Ujit, ajo ka luajtur rol kyç në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të kësaj qendre, duke ndërtuar bashkëpunime të frytshme me institucione vendore dhe ndërkombëtare dhe duke ngritur nivelin e monitorimit të ujit të pijshëm në përputhje me standardet evropiane.
Me pasion dhe përgjegjësi, ajo ka punuar për të siguruar që uji i pijshëm në Kosovë të jetë i sigurt për qytetarët, duke e bërë mbrojtjen e shëndetit publik mision të përditshëm të saj. Përveç kontributit profesional, Dr. Nushi-Latifi ka qenë e përkushtuar në përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve, të cilët do të vazhdojnë punën e saj me dije, përkushtim dhe dinjitet.
Në një ceremoni rasti, ku morën pjesë kolegë nga IKSHPK dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, Drejtoresha e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, e falënderoi Dr. Nushi-Latifin për bashkëpunimin, angazhimin dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke theksuar se ajo ka qenë gjithmonë shembull frymëzimi për kolegët dhe do të mbetet pjesë e paharruar e historisë së shëndetit publik në Kosovë.
Në këtë etapë të re të jetës, IKSHPK i uron Dr. Burbuqe Nushi-Latifit shëndet të mirë, lumturi dhe shumë gëzime pranë familjes dhe të dashurve të saj.