Në kuadër të aktiviteteve të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, për Muajin e Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, është realizuar një aktivitet sensibilizues në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Vesel Muji” në fshatin Mihir, Komuna e Gjilanit.
Dr. Igballe Qerimi, nga Departamenti i Mjekësisë Sociale, mbajti një ligjëratë informuese për rreth 80 nxënës dhe personel arsimor, mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, faktorët e rrezikut dhe mënyrat e vetëkontrollit.
Pas ligjëratës, nxënësit e shkollës, në bashkëpunim me arsimtarët e tyre, interpretuan minidramën “Ma mirë ta dish”, e cila përcolli një mesazh të fuqishëm për kujdesin shëndetësor, vetëdijen dhe mbështetjen ndaj atyre që përballen me këtë sëmundje.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të IKShPK dhe Qendrave Rajonale të Shëndetësisë Publike, për të nxitur ndërgjegjësimin dhe edukimin shëndetësor në komunitet, duke theksuar se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë.