Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), së bashku me Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike (QRShP) dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), shënuan sot më 29 shtator Ditën Botërore të Zemrës, me aktivitete të shumta në nivel vendi.
Në Prishtinë, aktivitetet u zhvilluan në sheshin kryesor të qytetit, ku qytetarëve iu shpërndanë materiale informuese mbi parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, u krye matja e tensionit të gjakut dhe sheqerit në gjak, si dhe u zhvilluan diskutime mbi rëndësinë e një stili të shëndetshëm jetese. Në këtë aktivitet morën pjesë ekipi i Mjekësisë Sociale i IKSHPK-së, QRShP Prishtinë dhe KPSH.
Në Pejë, QRShP në bashkëpunim me QKMF Pejë organizuan aktivitete në qendër të qytetit, ku kalimtarëve iu mat tensioni i gjakut dhe iu shpërndanë materiale edukativo–shëndetësore nga nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë.
Në Deçan, stafi i QKMF Deçan mbajti ligjërata me rreth 100 pjesëmarrës mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve të zemrës.
Në Mitrovicë, QRShP zhvilloi ligjërata vetëdijësuese në Shkollën e Mesme Teknike “Arkitekt Sinani”.
Në Ferizaj, QRShP Ferizaj organizoi aktivitete në Shkollën e Mesme Profesionale “IAAP Zenel Hajdini” – drejtimi Konfeksion, ku me nxënësit dhe komunitetin u zhvilluan aktivitete me fokus edukimin shëndetësor dhe promovimin e stilit të shëndetshëm të jetesës.
Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) përbëjnë shkaktarin kryesor të vdekjeve në botë, duke marrë mbi 20.5 milionë jetë çdo vit (32% e të gjitha vdekjeve). Megjithatë, deri në 80% të rasteve mund të parandalohen përmes kontrollit të faktorëve të rrezikut si:
• shmangia e duhanit dhe alkoolit,
• ushqimi i shëndetshëm,
• aktiviteti i rregullt fizik,
• reduktimi i ndotjes së ajrit.
Me organizimin e këtyre aktiviteteve, synohet rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, nxitja e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin dhe zhvillimi i shprehive të shëndetshme në jetën e përditshme.