Laboratori referent për gripin, që funksionon në kuadër të Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK për më shumë se një dekadë, edhe këtë vit ka marrë pjesë në Programin Global të Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë (External Quality Assessment – EQA), i organizuar nga rrjeti global GISRS (Global Influenza Surveillance and Response System), nën kujdesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Performanca e saktë e laboratorit të Mikrobiologjisë në testimin e virusit të gripit, si dhe së fundmi edhe të SARS-CoV-2 dhe viruseve të tjera respiratore përmes metodave molekulare, ka dëshmuar një standard të qëndrueshëm të cilësisë që shërben si pikë orientimi për vlerësimet e ardhshme.
Kjo përfshirje e vazhdueshme jo vetëm që thekson përkushtimin tonë ndaj cilësisë dhe fuqizimit të kapaciteteve profesionale, por gjithashtu i mundëson laboratorit tonë të krahasojë aftësitë ekzistuese me standardet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në zhvillimin e programeve kombëtare për sigurimin e cilësisë në fushën e diagnostikës laboratorike.