Sot, ekipet për Promovimin dhe Edukimin Shëndetësor nga Departamenti i Mjekësisë Sociale në IKSHPK dhe Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë, kanë realizuar vizita në 42 institucione parashkollore publike dhe private.
Këto vizita u organizuan si përgjigje ndaj situatës epidemiologjike me fruth, pasi nga data 5 deri më 13 maj 2025 në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit në komunat:
Ferizaj, Shtime, Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë, ku 7 nga 9 rastet kanë qenë fëmijë parashkollorë të pavaksinuar.
Gjatë vizitave, drejtorët, menaxherët dhe edukatorët janë informuar për:
Gjendjen aktuale të fruthit;
Rëndësinë e vaksinës MMR;
Verifikimin e kartelave të vaksinimit të fëmijëve;
Përcjelljen e informacionit të saktë tek prindërit.
Po ashtu, gjatë këtyre vizitave janë shpërndarë materiale edukativo-shëndetësore, të cilat janë vendosur në hyrjet e çerdheve dhe u janë dorëzuar edhe prindërve.
Mos e lini shëndetin e fëmijëve tuaj në rrezik – veproni tani! Vaksinimi është mbrojtja më e sigurt kundër fruthit.