Stafi i Laboratorit të Tuberkulozit në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Prizren po trajnohet nga ekspertët e Laboratorit Referent Kombëtar për Tuberkuloz të IKSHPK-së, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e testimit fenotipik të ndjeshmërisë ndaj barnave antituberkulare të linjës së parë.
Deri më tani, kulturat pozitive me Mycobacterium tuberculosis nga QRSHP Prizren janë dërguar në Laboratorin Referent Kombëtar në IKSHPK, për testimin fenotipik të ndjeshmërisë ndaj barnave. Me fillimin e këtij testimi direkt në laboratorin e QRSHP Prizren, eliminohet rreziku i ekspozimit të stafit mbështetës gjatë transportit të mostrave infektive dhe njëkohësisht shkurtohet ndjeshëm koha për lëshimin e rezultateve.
Ky zhvillim ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e përgjigjes ndaj rasteve të tuberkulozit, veçanërisht në situata të rrezikshme siç janë rastet me tuberkuloz rezistent ndaj barnave. Ai kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit të stafit, rritjen e efikasitetit të shërbimeve dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes në komunitet.