Në ambientet e Qendrës Operative për Emergjenca të Shëndetit Publik në IKShPK, u mbajt sot ushtrimi simulues për Watch Mode (gjendje qetësie), që paraqet njërin nga modulet e fazave të sistemit të menaxhimit të rreziqeve shëndetësore.
Ushtrimi simulues u organizua në bashkëpunim me Zyrën e OBSh-së në Kosovë, dhe kishte për qëllim testimin dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale, në përgjigje ndaj emergjencave shëndetësore, në periudha të qetësisë, përmes skenarëve të simuluar dhe diskutimeve ndërsektoriale.
Në ushtrim përveç profesionistëve të IKSHPK-së, morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe epidemiologë nga qendrat rajonale të shëndetit publik,si dhe specialistë dhe specializantë të IKShPK-së.
Gjatë ushtrimit u prezantuan dhe diskutuan gjashtë detyra kryesore për menaxhimin e emergjencave në periudha të qetësisë.
U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional në raste të emergjencave që përfshijnë rreziqe nga patogjenë biologjikë, kimikë, radiologjikë, si dhe fatkeqësi natyrore si: vërshimet, ndotja e ajrit, temperaturat ekstreme dhe zoonozat.
Ky ushtrim dëshmoi edhe njëherë rëndësinë e koordinimit, planifikimit të hershëm dhe testimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të reagimit, për të siguruar një përgjigje të qëndrueshme ndaj emergjencave të shëndetit publik.