Me rastin e Javës Botërore të Imunizimit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës rikonfirmon përkushtimin ndaj fuqizimit të programit të imunizimit si një ndër masat më të fuqishme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
Nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme MSh/IKShPK gjatë vitit të kaluar ka bërë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të programit të vaksinimit për fëmijët dhe të rinjtë: kalendari i rregullt i vaksinimit është pasuruar me tre vaksina të reja – vaksinën kundër pneumokokut, vaksinën kundër rotavirusit dhe vaksinën kundër HPV-së. Këto vaksina ofrohen tashmë falas për të gjithë fëmijët dhe grupet përkatëse të moshës, duke shënuar një arritje të madhe në drejtim të barazisë dhe qasjes në shërbime cilësore shëndetësore.
Vaksinat e reja në kalendar janë pritur me mirëkuptim dhe mbështetje të gjerë nga prindërit dhe qytetarët, çka dëshmon edhe besimin në sistemin shëndetësor dhe rëndësinë që i kushtohet shëndetit të brezave të ardhshëm. Në mënyrë të veçantë, përfshirja e vaksinës kundër HPV për të dy gjinitë në kalendarin e rregullt të vaksinimit është një hap i rëndësishëm në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, kancereve të fytit, kokës, organeve gjenitale te të dy gjinitë dhe sëmundjeve tjera të lidhura me këtë virus.
Falë angazhimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetësië Publike, në bashkëpunim me Institutcionet e Kujdesit Parësor Shëndetësorë si institucione zbatuese, vendi ynë ka arritur një mbulueshmëri të lartë me vaksinim në përgjithësi. Aktualisht, 89% e fëmijëve janë vaksinuar me vaksinat bazë që përfshihen në kalendarin e rregullt të vaksinimit. Një tjetër arritje e rëndësishme është edhe vaksinimi kundër HPV, ku vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të këtij programi, janë vaksinuar mbi 10,000 vajza te grupmoshës së targetuar (85%).
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej programin e imunizimit, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me vaksina cilësore, trajnime të vazhdueshme për personelin shëndetësor dhe fushata informuese për qytetarët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe uljen e hezitimit ndaj vaksinimit.
Vaksinimi është njëra nga mënyrat më kosto efektive për të shpëtuar jetë dhe për të promovuar shëndetin e mirë dhe mirëqenien përgjatë gjithë jetës. Çdo vit, vaksinat shpëtojnë miliona jetë dhe parandalojnë miliona persona nga sëmundjet vaksinë parandaluese dhe pasojat e tyre. Duke parandaluar shumë sëmundje ngjitëse serioze të fëmijërisë së hershme, si poliomieliti, fruthi dhe sëmundjeve tjera vaksinë parandaluese, ndihmon që fëmijët të rriten të shëndetshëm.
Kosova ka shënuar përparim të madh në dekadat e fundit në luftën kundër sëmundjeve vaksinë parandaluese, por ende ekzistojnë boshllëqe në mbulueshmërinë me vaksinim që i vënë veçanërisht në rrezik popullatën më të ndjeshme. Kjo duhet të merret parasysh meqenëse i tërë rajoni evropian është duke u ballafaquar me epidemi me sëmundjet që parandalohen me vaksina të cilat për kohë të gjatë ishin harruar siç është fruthi, difteria si dhe pertusisi.
Në këtë Javë të Imunizimit, i bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve të shoqërisë – institucioneve, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve – të bashkojnë forcat për të promovuar vaksinimin si një akt të thjeshtë, por thelbësor, në mbrojtje të jetës.
Investimi në vaksinim është investim në të ardhmen. Le ta bëjmë këtë të ardhme më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të barabartë për të gjithë.