Fillim i mbarë i punës së sesionit dyditor për zhvillimin e materialeve edukative dhe promovuese për shëndetin, të dedikuara për pacientët që jetojnë me diabet dhe hipertension në Kosovë
Grupi punues, i themeluar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe i udhëhequr nga Prof. Dr. Merita Berisha nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përfshin mjekë dhe infermierë nga spitalet e përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës, përfaqësues të pacientëve, nutricionistë, përfaqësues të industrisë kreative dhe të teknologjisë së informacionit.
Prof. Suzanne Suggs nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Zvicër (FHNW) ka kontribuar në këtë proces përmes një sesioni online, duke ndarë praktika dhe këshilla të rëndësishme për zhvillimin e materialeve efektive të komunikimit shëndetësor.
Gjatë punës në grupe të vogla, janë krijuar përmbajtjet fillestare të përshtatura për grupe të ndryshme të popullatës dhe për nevoja të ndryshme të informimit. Hartimi i këtyre materialeve bëhet në përputhje me Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2023 dhe Planin e Veprimit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor.
Grupi punues, i cili ka nisur angazhimin në fillim të muajit prill, do të vazhdojë punën edhe në javët në vijim për finalizimin e paketës përfundimtare të materialeve.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të qasjes së Spitaleve Promovuese të Shëndetit në Kosovë, me qëllim mbështetjen e pacientëve për të kuptuar më mirë shëndetin e tyre dhe për të marrë rol më aktiv në kujdesin ndaj vetes.
Grupi i punës i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë mbështetet nga projekti IHS – Shërbimet Shëndetësore të Integruara.
Sesioni përfundon nesër, duke shënuar një moment kyç në avancimin e përpjekjeve për edukim shëndetësor të bazuar në nevojat reale të komunitetit.