Komunikimi i rrezikut, angazhimi i komunitetit dhe menaxhimi i infodemisë (RCCE-IM) është një nga tetë kapacitetet për gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave shëndetësore, të përcaktuara me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR, 2005). Gjithashtu, RCCE-IM konsiderohet si një nga intervenimet kyçe të shëndetit publik.
Qëllimi për të ndërtuar një plan gjithëpërfshirës të RCCE-IM për të gjitha rreziqet, ka bërë bashkë në punëtorinë tre ditore (10-12 dhjetor) në Prishtinë përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë ndërkombëtarë të komunikimit RCCE-IM; përfaqësues të shoqërisë civile e mediave, me synimin për të rritur kapacitetet e komunikimit në mënyrë gjithëpërfshirëse për emergjencat shëndetësore publike.
Plani për RCCE-IM synon të sigurojë qëndrueshmëri për vendin gjatë emergjencave shëndetësore duke siguruar që të gjitha fazat: parandalimi, përgatitja, reagimi (përgjigja) dhe rimëkëmbja, të mbulohen në mënyrë efektive.
Punëtoria është realizuar me përkrahjen dhe në partneritet me Zyrën e OBSh-së në Prishtinë, me fokus në përshtatjen e planit me nevojat specifike të emergjencave shëndetësore për Kosovën.